Protestat, policia përdori dy lloje gazi lotsjellës ndaj turmës
Ashtu si dhe në protestën e parë te Kryeministria edhe përballë Parlamentit, policia përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve.
Efekti ishte i fortë duke bërë që pjesa më e madhe e tyre të largohen nga zona ku hidhej. Në të vërtetë mbi protestuesit u hodhën dy lloje gazi lotsjellës, të dyja të prodhuara në Serbi.

I njohur ndryshe si “topi prej gome”, kjo lloj granate hidhet manualisht nga efektivët pa nevojën e armëve të specializuara.
Sipas specifikimeve, ky lloj gazi shkakton paaftësi të përkohshme të turmës, por pa efekte të përhershme në shëndet. Ai shkakton acarim të forte të lëkurës, ngacmim të syve, mukozë, kollë dhe frymëmarrje të përshpejtuar.
E veçanta e granatës është se e bën të pamundur që turma ta hedhë mbrapsht në drejtim të efektivëve. Sipas specifikimeve teknike, gazi lotsjellës del nga vrimat anësore që ka granata, të cilat digjen duke e bërë të vështirë kapjen e saj.

Krahas kësaj, policia hodhi dhe gazin “MN-01”, i cili përdoret gjerësisht për përhapjen e turmave dhe kontrollin e trazirave.
Ashtu si modeli tjetër edhe kjo lloj granate më e vogël në përmasa shkakton efekte të njëjta me “topin e gomës”.