Delegacioni i PE, Spiropali: Opozita, “kamikaze” për negociatat

Deklaratat e eurodeputetëve i dhanë zë edhe njëherë qëndrimit të qeverisë për të sulmuar opozitën. Elisa Spiropali, e quajti aktin e opozitës si kamikaz dhe bëri thirrje për reflektim.

“Sipas tyre, Shqipëria qenka shtëpia e shqiptarëve dhe miqtë dhe partnerët e këtij vendi qenkan turistë me vështrim të mjegulluar. Gjynah vërtetë, gjynah sepse Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë këtë shfaqje konfliktualiteti dëmtues për hir të karrierës së Bashës që i trembet humbjes së zgjedhjeve të radhës. Për hir të frikës nga drejtësia që ka udhëheqja e opozitës.

Eurodeputetët kanë kuptuar mirë çdo progres të vendit, ata e dinë se ne kemi shumë për të bërë, por nuk impresionohen nga propaganda e çartur opozitare dhe nga fabulat mediatike me skandale dhe përmbysje imagjinare.

Delegacioni i tyre foli troç fare, duke rrënuar pikë për pikë çdo pretendim absurd për qeveri tranzitore, parlamente jo legjitime. Ata nënvizuan nevojën për vazhdimin e jetës parlamentare dhe zëvendësimin ligjor të të arratisurve, duke ndarë me publikun disa të vërteta të thjeshta.

Parlamenti dhe qeveria janë zgjedhur me votë dhe problematika e zgjedhjeve nuk e ve në asnjë diskutim rezultatin e tyre”, deklaroi Spiropali.

Shkarkoni aplikacionin e A2