“Hap kutitë ose largohu!” Shitblerja e votës fenomeni i çdo procesi zgjedhor

Pas çdo procesi zgjedhor është bërë tashmë e zakonshme të dëgjojmë partitë e mëdha pjesëmarrëse në zgjedhje të deklarojnë fitoren.

Ashtu siç është traditë që zgjedhjet e kontestuara, kryesisht nga humbësit, për shkak të shitblerjes së votave apo të keq administrimit të procesit zgjedhor janë të pashmangshme për çdo garë elektorale qoftë për pushtetin qendror apo atë lokal.

“Hap kutitë ose largohu”, është një nga parullat më të famshme lidhur me një nga krizat më të mëdha në lidhje me votat në Shqipëri. Vangjush Dako në burg ose largohu është parulla e krizës së fundit në politikën shqiptare.

Greva e urisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga ana e socialistëve shënoi një protestë epike kundër vjedhjes së votës.

Në 2009-ën kur pretendonte se zgjedhjet i kishte humbur pasi ia kishte vjedhur Sali Berisha, Edi Rama, njëkohësisht, premtonte se me të ardhur në pushtet do të arrestonte ata që vidhnin votat. Dhe historia përsëritet.

Dosja 339 është kthyer në pikën e dobët të kësaj qeverie, e cila dikur në opozite ankohej se e vidhnin. Opozita e sotme në pozitat e asaj të djeshmes ankohet për shitblerje votash dhe opinionit publik i janë servirur përgjime, filmime e dëshmi se si blihet e shitet vota në Shqipëri.

Edhe pse OSBE pretendon se votat e vjedhura nuk e kanë ndikuar rezultatin, të paktën këtë të fundit. Përdorimi i mekanizmave për arritur tek blerja e saj na ka përballur me forma që as më shumë e as më pak kanë përdhosur të drejtën dhe lirinë e çdo votuesi për të zgjedhur i lirë.

Ndërsa ky fenomen është pranuar dhe është evidentuar në raportet e institucioneve kombëtare e ndërkombëtare të certifikuara për monitorimin e proceseve zgjedhore, së fundmi dhe vetë kryeministri Rama pranoi ekzistencën e këtij fenomeni. Ndërsa jemi përpara një tjetër garë elektorale ngërçi politik as që lë hapësira për përmirësim jo më për hartim të reformës elektorale.

Për të folur për shitblerjen e votës, ishin të ftuara në “A2 Debat”, Erida Skëndaj, drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Gerta Mera, përfaqësuese e koalicionit të vëzhguesve vendorë.

Gerta Mera u shpreh se shitblerja e votës është kthyer në një refren. Ajo tha se qytetarët e kanë kuptuar tashmë se politikanët janë të papërgjegjshëm. “Ne si aktorë të shoqërisë civile kemi ndjekur ecurinë ndër votimeve, por ka edhe dukuri që kanë mbetur në stanjacion. Ky është një fenomen që ka ardhur koha që absolutisht nuk duhet të ndodhë. Unë mendoj se blerja e votës është një mekanizën që ne do të vazhdojmë të themi se nuk e kapim dot standardin. Qytetarët e kanë kuptuar se politikanët janë të papërgjegjshëm dhe ia kthejnë në të njëjtën mënyrë”, tha Mera.

Ndërkohë, Erida Skëndaj u shpreh se pikëpyetja është pse reforma zgjedhore mbetet monopol i partive politike.

“Do të duhet të besojmë te vota e lirë dhe te ajo e ndershme. Nëse do të duhej të fillonte nga diku për të arritur zgjedhje të lira ishte momenti kur u ngrit komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore, pati një dështim të procesit. Pikëpyetja është pse reforma zgjedhore mbetet monopol i partive politike. Kjo të bën të reflektosh që fokusi nuk është te vota e lira, por te lufta midis llojit dhe kjo bën edhe qytetarët mosbesues ndaj këtij procesi”, tha ndër të tjera Erida Skëndaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2