Njohja e Kosovës nga Serbia, Milo: Varet nga çmimi që do të paguajë

Presidenti Aleksandër Vuçiç ndërhyri për herë të parë në debatin për korrigjimin e kufijve me Kosovën duke thënë se Medvegja dhe Banja e Siarinës do të mbeten pjesë e Serbisë.

Ndërkohë, në emisionin “I Ftuari” të Endri Xhafos, ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo ka komentuar këtë deklaratë, por edhe marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Nëse 3 komuna të Kosovës do të bashkoheshin me Serbinë dhe Presheva, Bujanoci dhe pak nga Medvegja, ky nuk është korrigjim kufijsh, por shkëmbim territoresh. Palët po i mbajnë shumë të fshehta negociatat”.

Por a do të ishte e dobishme ky shkëmbim territoresh në rast se Kosova do të njihej nga Serbia? “Varet nga çmimi që do të paguajë”, thotë Milo.

Më tej, Milo u shpreh se në rastin parë që do të nisnin negociatat për territorin, atëherë grupi negociator do të shpërbëhej.

“Negociatat janë për çështje konkrete, por e përjashtojnë negocimin për territoret. Në momentet që mund t’i jepet grupit të negociatorëve edhe çështja e territorit, atëherë ai grup mund të shpërbëhet, pasi ka përfaqësues nga disa forca politike që nuk bie dakord. Qëllimi është të përpunohet opinioni edhe në Kosovë edhe në Serbi. Është menduar që pasi të përpunohet opinioni, marrëveshja do të ishte më e lehtë”, tha Paskal Milo.

Milo u pyet edhe për Nismën e Berlinit për të cilën, ai tha se është zbehur. “Ka ndikuar edhe dobësimi i zonjës Merkel në vetë Gjermaninë. Fakti që ajo nuk ka më perspektiv për kancelare e kryetare të CDU ka minuar nismën e Berlinit dhe nuk ngjall më atë entuziazëm që ka pasur”, tha Milo.

Shkarkoni aplikacionin e A2