Operatorët celularë shtrenjtojnë paketat

Tarifat e operatorëve celularë janë rritur sërish. Pavarësisht gjobave nga Autoriteti i Konkurrencës, kompanitë në treg duket se vijojnë të shtrenjtojnë paketat njëkohësisht, duke aplikuar çmime të njëjta.
Kësaj radhe paketat javore dhe ato ditore janë rritur nga të tre operatorët.

Nëse paketa ditore kushtonte 100 lekë për abonentët e secilës kompani, sot ajo kushton 150 lekë. Ndërsa paketa javore është shtrenjtuar nga një mesatare prej 300 lekësh në 500 lekë, ku duket se operatorët kanë unifikuar sërish tarifat.

Shtrenjtimi ka ndodhur në harkun e 5 javëve, nisur nga Vodafone në fund të janarit, ndjekur nga Albtelecom në mes të muajit shkurt, dhe në fund nga Telekom në fund të këtij muaji. Çmimet mes operatorëve janë pothuajse identike edhe për paketat mujore, me diferenca jo më shumë se 100 lekë.

Komunikimi, peshon 3.3% në buxhetin e një familje

Të folurit në telefon nuk është më luks, por një domosdoshmëri. Kjo është edhe arsyeja pse telekomunikacionet janë ndër tregjet me qarkullimin më të madh, pavarësisht një tkurrje vitet e fundit.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se komunikimi ruan një peshë konstante në buxhetet familjare. Sipas statistikave, ajo vlerësohet në 3.3% të buxhetit mujor të një familje. E dhëna e fundit zyrtare e INSTAT-it është ajo e vitit 2016-ës, por e analizuar në vite, rezulton se pagesat që familjet bëjnë për të komunikuar kanë të njëjtin ndikim në buxhet, pavarësisht ndryshimeve që mund të kenë pësuar çmimet e bisedave telefonike.

Shkarkoni aplikacionin e A2