Viktima e pestë nga gripi, humb jetën nëna dhe foshnja e saj

Gripi shënon viktimën e pestë në Shqipëri. Një 36-vjeçare shtatzënë me binjakë, ka humbur jetën  së bashku me një nga foshnjat.

Gruaja nga Levani i Fierit ishte e shtruar prej dy javësh në sanatoriumin e Tiranës për shkak të pneumonisë që i shkaktoi Ah1N1.

Ajo ishte 31-javëshe shtatzënë dhe mjekët thonë se iu është dashur të ndërhyjnë për lindje të parakohshme.

Të tre kanë qenë në jetë pas operacioni, por në 25 shkurt, 36- vjeçarja humbi jetën nga komplikacionet e rënda. Po ashtu, edhe një nga foshnjat e saj ka humbur jetën, në maternitetin “Koço Gliozheni”, aty ku u vendosën pas lindjes.

Mjekët përjashtojnë prekjen nga gripi të një prej binjakëve që humbi jetën. Ndërsa foshnja tjetër po mbahet nën mbikëqyrje. Vdekja e nënës shtatzëne dhe një prej foshnjave të saj, u bë publik vetëm tre dite pas ngjarjes dhe analizave që konfirmuan prekjen nga gripi Ah1N1. Kjo është viktima e pestë nga virusi ndërkohë në reanimacionet e spitaleve të Tiranës ka ende raste të rënda me grip.