Zyrtarët e SHBA në Kosovë, Haradinaj: Taksa ndihmon në arritjen e ujdisë me Serbinë

Vijon presioni i Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës për pezullimin e taksës së vendosur ndaj mallrave serbe.

Për këtë, drejtori për Çështje Europiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare Amerikane, John Erath dhe drejtori për Ballkanin i këtij institucioni, Brad Berkley zhvilluan takime me të gjithë spektrin politik të Prishtinës. Porosia e tyre ishte e qartë: pezulloni taksën. Pas takimit, Presidenti Hashim Thaçi bëri një njoftim të rëndësishëm.

“Të gjithë anëtarët e Ekipit Negociator kanë shprehur shqetësimin për veprimet agresive të Beogradit, por në të njëjtën kohë kanë shprehur edhe gatishmërinë e tyre për respektimin e këshillës së SHBA-së për pezullimin e taksës dhe rifillimin e dialogut në Bruksel”, u shpreh Thaçi.

Megjithatë, kryesuesi i ekipit negociator, Shpend Ahmeti, e përgënjeshtroi menjëherë këtë duke thënë se nuk ka pasur asnjë deklarim lidhur me këtë çështje. Pavarësisht presionit ndërkombëtar, Haradinaj vazhdon të mbështesë taksën 100% kundër Serbisë.

“Ekzistojnë dy pikëpamje për taksën –njëra është që taksa të shihet si pengesë për t’u kthyer në dialog, ndërsa tjetra është si ndihmesë për t’u arritur më shpejtë marrëveshja. Koha tani nuk i kushton vetëm Kosovës por edhe Serbisë, për aq koha sa taksa është në fuqi”, tha Haradinaj.

Mw tej, shefi i qeverisë ripërsëriti se dialogu duhet të rifillojë dhe kërkoi që mes palëve të arrihet një marrëveshje në bazë të kufijve ekzistuese.

Shkarkoni aplikacionin e A2