Rama, ftesë Bashës: Kur do flasim

Një ditë pasi eurodeputët kërkuan një pakt kombëtar për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, kryeministri Rama ka shfrytëzuar “Samitin e Diasporës” për t’i bërë një ftesë publike Lulzim Bashës për t’u ulur në dialog. Rama tha se e keqja më e madhe shqiptarëve ju vjen kur ata bëhen kundër njëri-tjetrit.

“Atyre shqiptarëve që sot ishin të ftuar sot këtu dhe nuk erdhën, unë ju them vetëm një gjë: kur do flasim?”, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër, Kryeministri e quajti djegien e mandateve nga ana e opozitës si një vendosje të shqiptarëve kundër shqiptarëve, për interesa të vogla “të katundit” siç e përkufizoi ai. “Sa herë shqiptarët kanë hedhur baltë në gjuhë të huaj për kombin për interesat e tyre, ka humbur Shqipëria”, tha ai. Armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve janë vetë shqiptarët”.

Rama u tha të pranishmëve në Samitin e Diasporës se Shqipëria sot është më e mirë se sa dy vjet më parë, kur u mbajt për herë të parë ky samit. “Në samitin e parë u mblodhëm emocionalisht. Në këtë samit do ta shihni që nuk ju kemi hapur derën thjesht për t’u parë. Ka një sërë çështjes që i kemi prekur në samitin e parë dhe sot do të shikoni që ato janë ligje”, shtoi Rama.

Ai iu bëri thirrje shqiptarëve në Tuz që të bashkohen për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe të marrin vendimin e duhur për të drejtuar me dinjitet komunën me shumicë shqiptare në Malin e zi.

Në lidhje me mundësinë e votimit të diasporës në zgjedhjet në Shqipëri, Rama tha: “Ne duam ta bëjmë, por nuk kemi gjetur dakordësi për këtë çështje. Por ju siguroj se të drejtën e votës suaj do ta bëjmë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN