Samiti i Diasporës, Majko: Rezultate konkrete, shpenzimet jo të fryra

Samitin e dytë të diasporës, ministri i shtetit Pandeli Majko, e cilëson një provë për qeverinë dhe punën e bërë deri më tani. Ndryshe nga aktiviteti i parë i cili kishte karakter simbolik, samiti i dytë pritet të prodhojë rezultate konkrete.

“Pa rezultate të prekshme, nuk besoj se do t’ia vlente që ne të mblidheshim në këtë samit. Nuk e thashë “t’i ftonim përfaqësuesit e komuniteteve” , por mendoj që ata do të vinë këtu dhe vinë pas një samit të parë që nuk mund të jetë përsëritje e samitit të parë”.

Pandeli Majko, ministër Shteti për Diasporën

Samiti nxiti kritika lidhur me kostot e larta prej 67 milion lekësh. Edhe vetë pjesëtarë të diasporës i vlerësuan si tepër të fryra shpenzimet, por Ministri Majko pohon se është shpenzuar vetëm ¼ e fondit të vënë në dispozicion nga qeveria.

“Mendoj se kjo është një copëz e vogël e asaj që të gjithë këta njerëz i kanë dhënë Shqipërisë dhe ekonomisë së Shqipërisë. Nuk besoj se vlen të diskutohet nëse duhet të kurseheshin apo jo. Dua të them se ministri i Diasporës nuk ka menaxhuar në asnjë rast ndonjë lloj fondi, pavarësisht batutës së Edi Ramës, por e rëndësishme është që jemi pjesë e mekanizmit të transparencës”

Pandeli Majko, ministër Shteti për Diasporën

Diaspora shqiptare rikthehet në Tiranë për ta gjetur qendrën e kombit në krizë. Duke kujtuar se çështja e shqiptarëve jashtë vendit e gjen në konsensus politikën, Majko thotë se samiti duhet ta largojë vëmendjen nga kriza.

“Për sa i përket marrëdhënieve me diasporën, të gjitha palët politike kanë qenë mjaft të ekuilibruara. Kriza kemi pasur, besoj që kriza do të kemi edhe në të ardhmen e afërt, por ajo që na nevojitet tani është optimizmi”

Pandeli Majko, ministër Shteti për Diasporën

Intervista e plotë e ministrit të Shtetit për Diasporën, dhënë për A2 CNN


Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN