Zbresin në 11%, por kreditë e këqija ende problem

Ulja e kredive me probleme mbetet një ndër problemet kryesore të sistemit bankar shqiptar. Edhe pse ky tregues zbriti në fillim të këtij viti në 11%, pjesa më e madhe e huave të këqija janë fshirje nga sistemi sesa një kthim real i tyre.

 Për ulje të mëtejshme të tyre apeloi edhe ambasadori i Zvicrës në Shqipëri gjatë nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me Bankën Qendrore.

“Studimi i fenomeneve te ndryshme te studimit te sistemit financiar i kanë hapur rrugën miratimit të një sërë rregulloresh që kanë përshpejtuar procesin e reduktimit të kredive me probleme, që është afër 11% aktualisht, dhe do të krijojë një ambient  rregullator më eficent në administrimin e goditjeve financiare”, deklaroi guvernatori Sejko.

Nga ana e tij, ambasadori zviceran Adrian Maitre theksoi se “Shqipëria është vend i qëndrueshëm financiarisht, me një sektor bankar të shëndetshëm.  Gjendja  e mirë ekonomike duhet të kontribuojë në një punësim më të larte dhe cilësor. Por duhen masa të tjera për të zgjidhur ngërçin e kreditimit, për të rritur efikacitetin e politikave monetare, dhe për të zgjidhur çështjen e dobësive strukturore ne dhënien e larte te kredive me probleme”.

Niveli i lartë i kredive me probleme është një ndër arsyet e kreditimit anemik të ekonomisë. Kjo pasi bankat po tregohen të kujdesshme në financimin e projekteve, veçanërisht tek biznesi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN