Cagliari mposht Interin, vendi i tretë në rrezik

Interi ka dalë i mundur nga ndeshja e parë e javës së 26-të në Serie A, duke u mposhtur 2-1 në transfertë nga Cagliari.

Pa Icardin në fushën e lojës, zikaltrin nuk mundën të shënonin më shumë se një gol, ndërsa vendasit e mposhtën dy herë Handanovic. Gjithçka u vendos në pjesën e parë. Fillimisht kapiteni Cepitelli i vodhi kohën kroatit Perisic dhe me një goditje të saktë me kokë la të shtangur Handanovic.

Gjithsesi 7 minuta më vonë në të 38-ën, Lautaro Martinez barazoi shifrat duke realizuar sërish ndaj Cagliarit në këtë sezon. Krosim perfekt i Nainggolan me sulmuesin e talentuar argjentinas që me kokë ia kaloi topin poshtë këmbëve portierit Cragno. Por në pushimin mes dy pjesëve Cagliari shkoi në avantazh pasi në të 43-ën, Pavoletti me një goditje fluturimthi pas një krosimi të kroatit Dario Srna, mposhti sërish Handanovic, madje duke djegur në kohë si Skriniar ashtu edhe De Vrij.

Interi dominoi në pjesën e dytë dhe ishte më kërkuar, por nuk mundi të gjente golin e barazimit. Madje, në minutat e shtesës, Cagliari pati mundësi ta çonte në 3-1 rezultatin, por Barella gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.

Me këtë humbje, Interi vë në rrezik vendin e tretë, pasi Milani që luan sot është vetëm një pikë pas “kushërinjve”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN