Konfliktet e pronësisë, shkaku i 200 gr tritol pronarit të pastiçerive

Konfliktet e pronësisë ishin shkaku i shpërthimit të fuqishëm që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në zonën e “Vasil Shantos”, në Tiranë. Fatmirësisht nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale.

Një sasi prej 200 gramësh tritol shpërtheu në këtë pallat, që ndodhet në zonën e “Vasil Shantos”. Policia heton pistën e pronësisë, pasi shënjestra e shpërthimit ishte banesa e biznesmenit Vasillaq Stavri, pronar i disa pastiçerive në Tiranë. Stavri kishte marrë pronat e shtetasit me inicialet A.B, 52 vjeç, të cilat ishin bllokuar nga banka dhe herë pas here ishin konfliktuar për këtë fakt.

Madje Stavri kishte marrë kërcënime edhe herë të tjera, derisa në orën 21.10, ndodhi edhe shpërthimi i telekomanduar. Djemtë e biznesmenit nuk pranuan të flisnin para kamerave, ndërsa fqinjët u shprehën të tronditur për atë që ndodhi.

Policia ka shpallur në kërkim 58-vjeçarin me inicialet A.B, pasi dyshon se është pikërisht ai që ka vendosur tritolin.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN