Presidenti i PE-së: Kujdes me Ballkanin! Në Shqipëri “luftë civile” mes qeverisë e opozitës

Për situatën politike në Shqipëri ka reaguar së fundmi edhe kryetari i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, për të cilin situata në vendin tonë është shumë e vështirë.

Tajani i bëri komentet në kuadër të një vizite në SHBA, gjatë të cilës ai qëndroi edhe në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Kreu i PE është shprehur se në Shqipëri ka nisur një “luftë civile” mes qeverisë dhe opozitës. “Ballkani është një çështje me të cilën ne merremi vazhdimisht. Stabiliteti i Ballkanit është po ashtu stabilitet i Europës. Në Shqipëri, situata është shumë e vështirë. Është “luftë civile” midis qeverisë dhe opozitës. Kjo është shumë e rrezikshme për stabilitetin”.

Kryetari i PE, thotë po ashtu se në Ballkan ”duhet të shohim çfarë investimesh vijnë nga jashtë rajonit. Aty bëhen investime me diferenca të ndryshme, jo vetëm europiane por edhe ruse, arabe dhe turke. Kjo është lojë e vështirë”. Ai thotë se Europa duhet të jetë aktive, por edhe e matur në Ballkan.

Sa i përket situatës së përgjithshme në Ballkan, për Tajanin më kritike është situata në Bosnje-Hercegovinë sesa në Kosovë.

I pyetur nga gazetarët, pse Bashkimi Europian nuk ka aprovuar heqjen e vizave për Kosovën, Tajani tha se kjo është një çështje e vendeve anëtare.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN