Zgjidhet kreu i ri i Komunitetit Mysliman në Shqipëri

Bujar Spahiu është zgjedhur ditën e sotme kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë.

Spahiu siguroi fitoren që në raundin e parë, duke arritur të merrte 59 vota, ndërsa myftiu i Tiranës Ylli Gurra mori 26 vota dhe kandidati i tretë Gramoz Blliku, vetëm 2 vota.

Një ditë më parë, Skënder Bruçaj u tërhoq duke mos pranuar që të rikandidojë për një mandat të dytë, ndërsa Gëzim Abdishaku dhe Islam Hoxha u skualifikuan.

“Mesazhi im: Zgjedhja ime ishalla do të jetë një për hajër dhe për të mirë të vendit dhe besimtarëve. Por së bashku me kolegët që më kanë zgjedhur do të mundohemi ta çojmë përpara këtë detyrë fisnike mes marrëdhënieve me njerëzit, jo vetëm me myslimanët, por me të gjithë njerëzit në përgjegjësi”, u shpreh për A2 CNN kreu i ri i KMSH.

Bujar Spahiu deri tani ka mbajtur postin e nënkryetarit, ndërsa tashmë do të drejtojë KMSH-në në një mandat 5-vjeçar.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN