“Dhuna”, policia: Arrestohet Presidenti i Kamzës, drejtori sportiv dhe shefi i klubit

Me anë të një deklarate për mediat, Policia ka bërë të ditur se për dhunën ndaj arbitrit në ndeshjen mes Kamzës dhe Laçit është vënë në pranga Presidenti i Kamzës Naim Qarri, drejtori sportiv Andi Matraxhiu, shefi i klubit, Albert Bana, si dhe tifozi me inicialet E.Gj.

Sipas policisë, dyshohen si autorë të dhunës edhe shtetasit: B.Q., A.Q., A.Q. dhe K.Q., tifozë, të cilët janë shpallur në kërkim policor.

Arrestimi i 4 shtetasve si dhe shpallja në kërkim e 4 të tjerëve u bë për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishje e qetësisë publike”.

“Këtë ndeshje Komisariati i Policisë Nr. 5 Tiranë nuk e ka marrë përsipër, pasi nuk janë zbatuar detyrimet dhe përgjegjësitë sipas përcaktimeve të ligjit 79/2017 datë 27.04.2017 “Për Sportin”.

Megjithatë Komisariati i Policisë Nr. 5 Tiranë për sigurimin e rendit e sigurisë publike jashtë ambienteve të stadiumit, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, hartoi plan masash.

Kjo ndeshje është marrë përsipër për sigurimin e nga SH.R.S.F. “Oktapus 1 Security”, të cilët kanë qenë në stadium me 12 efektiv të saj.

Në përfundim të kësaj ndeshje një punonjës i SH.R.S.F., i cili ishte në hyrjen kryesore të stadiumit hapi portën dhe kërkoj ndihmën e policisë, pasi disa tifozë kishin hyrë në fushë dhe kishin goditur arbitrin dhe punonjësit e SH.R.S.F-së.

Pas këtij njoftimi shërbimet e planizuara me shërbim sipas urdhrit të shërbimit, janë futur në ambientet e stadiumit, duke bërë të mundur marrjen në mbrojtje të gjyqtarëve dhe vendosjen e rendit e qetësisë, duke vazhduar me shoqërimin e personave të futur në fushë dhe ata të cilët kishin goditur gjyqtarin e ndeshjes. Në lidhje me sqarim e kësaj ngjarje janë shoqëruar edhe 14 shtetas të tjerë”, thuhet më tej në njoftimin e policisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN