Dialog me Ramën? Basha nën kompleksin e marrëveshjes së majit

Dy vjet pas shtrëngimit të duarve, që i dha formë marrëveshjes për një qeveri të përbashkët PD-PS, Lulzim Basha është duke u joshur sërish nga Edi Rama.

“Atyre shqiptarëve që sot ishin të ftuar nuk janë këtu, unë ju them vetëm një gjë: Kur do të flasim”.

Ftesa është direkte dhe Rama ka dëshmuar se është i gatshëm të lëshojë pushtet. Njësoj siç bëri për të nxjerrë Bashën nga çadra në 2017.

“Ju e dini fare mirë që 17 maji ishte një marrëveshje e detyruar nga ata që mendonin se Edi Ramës i duhet dhënë një shans i dytë. Ata që erdhën thoshin, ‘bëni një marrëveshje, futuni në zgjedhje’. Ndërkohë ne u thoshim se nuk kishte zgjedhje me Ramën dhe kjo u vërtetua që nuk kishte zgjedhje se i bleu zgjedhjet dhe ja ku është Shqipëria”, shprehej Basha.

Megjithatë, kërkesat e opozitës janë të ngjashme me ato që artikuloheshin në çadrën e fundit të shkurtit të 2017-s: largimi i Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore për të përgatitur zgjedhjet.

“Nuk e njohim më jo vetëm Kuvendin e krimit dhe Qeverinë e krimit, por as Policinë e krimit. Mosbindja civile do të shtrihet nga jugu në veri”, thoshte Basha nga protesta e fundit.

Por sa janë shanset që Basha dhe Rama të negociojnë një marrëveshje të dytë për të kapërcyer këtë moment ngërçi?

“Tani ka një përpjekje nga të dy palët që të nisin diskutimet”, shprehet Soreca. Përgjigja e fundit e Lulzim Bashës hidhte poshtë këtë pretendim. “Nuk ka asnjë komunikim mes meje dhe Edi Rama. Komunikimi i vetëm është ai i qytetarëve shqiptarë, vendimi i vetëm është ai i qytetarëve shqiptarë”.

Gjithsesi, refuzimi i ndërkombëtarëve për të ndërhyrë si negociatorë, shton presionin mbi Lulzim Bashën që i duhet të vendosë t’i përgjigjet apo jo ofertës së Ramës për të nisur dialogun mbi krizën
politike.

“Me kë të dialogosh? Me Rrahen? Me Çyrben apo me Vangjush Dakon?”

Shkarkoni aplikacionin e A2