Ftesa për dialog, Rama rrëzon akuzat ndaj protestës së opozitës

Shpjegimi i parë që Edi Rama dha për vendimin ekstrem të opozitës që dorëzoi mandatet e deputetëve ishte frika nga drejtësia e re.

Në prag të krijimit të Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, Rama solli si argument, mëkatet e demokrateve në qeverisjen para 2013.

“Kanë ikur nga Parlamenti dhe vijnë te dera e Parlamentit për të protestuar. Ndërkohë që ishin brenda në Parlament, tani vijnë te dera dhe thonë jemi populli. Se i gënjen mendja që do të fshihen mes popullit kur të vijë drejtësia e re”

Edi Rama, Kryeministër, 26 shkurt 2019

I njëjti mesazh u përsërit në takimet publike me socialistët, por nuk zgjati shumë. Një teori tjetër Kryeministri e hodhi në publik gjatë një interviste për mediat italiane, kur u pyet se përse opozita i dorëzoi mandatet, braktisi Parlamentin dhe doli në rrugë për të protestuar.

Kryeministri përmendi në këtë rast lobet e drogës dhe të bixhozit, që kundërvepronin pas goditjes që i dha qeveria.

“Nuk ka asnjë revolucion, nuk ka asnjë kaos, asnjë rrezik për askënd. Është një revoltë e establishmentit të vjetër dhe lobeve që kanë humbur, ai i drogës dhe lojërave të fatit dhe të tjerave që qëndrojnë pas këtyre manifestimeve”

Edi Rama, Kryeministër, 1 mars 2019

Pas këtyre akuzave te renda, u duk se marrëdhënia mes qeverisë dhe opozitës arriti një pikë pa zgjidhje. Por, të premten, Kryeministri Rama ndryshoi sërish qëndrim.

“Atyre personave që janë të ftuar dhe që nuk janë sot këtu, ju them vetëm një gjë, kur do flasim”

Edi Rama, Kryeministër, 1 mars 2019

Me këtë ftesë për dialog ndaj Bashës, u duk se Rama i hapi rrugë një qasjeje të re ndaj opozitës, por në të njëjtën kohë rrëzoi edhe arsyet që mazhoranca përsëriti që në fillim si shtysa që nxori në rrugë opozitën.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN