Gjeloshaj: Asgjë nuk e ndal fitimin e Malësisë

Kryesuesi i listës së përbashkët shqiptare në zgjedhjet vendore të Tuzit, Nik Gjeloshaj, tha se pavarësisht përpjekjeve të ndryshme nga rivalët, Komuna do të jetë e shqiptarëve.

“Mendoj që të gjitha ato që janë duke bërë nuk mund ta ndalin këtë proces, që është fitimi i Malësisë dhe fitorja e koalicionit të cilin përfaqësoj unë”, tha Gjeloshaj për mediat pasi votoi edhe vetë.

Këto janë zgjedhjet e para në Tuz si komunë më vete që kur u shkëput nga Podgorica vitin e kaluar. Qytetarët aty do të votojnë për të zgjedhur 32 anëtarët e rinj të Asamblesë së qytetit, të cilët më pas do të zgjedhin e kryetarin e ri të Komunës.

Lidhur me këtë moment vendimtar, Gjeloshaj bëri apel për masivitet pranë qendrave të votimit.
“Kjo të jetë një ditë feste për Malësinë, sepse i konsiderojmë si historike zgjedhjet e para për Komunën e plotë. Një apel për të gjithë votuesit që të dalin të votojnë, të shfrytëzojnë rastin që të jenë pjesë e këtij vendimi historik”, shtoi ai.

Shqiptarët që jetojnë në Tuz janë shprehur optimistë për këto zgjedhje për shkak të listës së përbashkët të 3 partive shqiptare.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN