Beteja e Portokajve: origjina nuk dihet, por të gjithë luftojnë | FOTO

Origjina e Betejës së Portokajve është e paqartë për shumëkënd, por askush në qytezën Ivrea, pranë Torinos, nuk do të mungonte në festivalin treditor që zhvillohet çdo vit.

Tradita vijon prej shekullit XII, ku sipas legjendës populli u ngrit në revoltë pasi Lordi i zonës përdhunoi vajzën e mullixhiut, të quajtur Violeta. Ajo më pas i preu kokën dhe e hodhi në sheshin e qytezës. Më pas njerëzit i vunë flakën kështjellës së tij dhe u liruan nga tirani.

Një tjetër version tregon se si të varfërve të qytezës iu dhanë fasule për të shuar urinë nga feudalët. Por në shenjë proteste ata i hodhën fasulet në tokë dhe me kalimin e viteve fasulet u bënë portokaj.

Çdo vit një vajzë nga qyteza luan rolin e Violetës dhe shumë prej atyre që dalin në shesh veshin kostume tradicionale të zonës. Njerëzit ndahen në 9 skuadra: As Spathi, Portokajtë e Vdekjes, Revolucionarët, Shahistët, Pantera e Zezë, Akrepët, Djajtë, Mercenarët dhe Besimtarët.

Secila skuadër mbron territorin e saj ndërsa sulmon “kështjellën” e skuadrës tjetër. Çdo vit, miliona portokaj nga Siçilia përdoren për festivalin tradicional, fruta që përndryshe do të ishin hedhur.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN