CNN: Trump, drejt procedurave për shkarkim

I ashtuquajturi “Impeachment” i Presidentit amerikan Donald Trump duket më shumë se thjeshtë një mundësi teorike. CNN, në një analizë, shkruan se Demokratët do të nisin një hetim për “abuzim me pushtetin” që shumë thjeshtë mund të transformohet në një proces serioz me kërkesa të mëdha për dokumente nga qeveria Trump, familja dhe perandoria e tij e pasurive të patundshme.

Presidenti reagoi për këtë situatë duke sulmuar demokratët dhe CNN. “Ngacmimi i Presidentit nga Demokratët e “çmendur” është në nivelet më të larta të historisë së vendit tonë. Në të njëjtën mënyrë dhe nga media më e korruptuar dhe ashpër që ndonjë presidenti është përballur ndonjëherë”

Donald Trump, President i SHBA

Kjo erdhi pas një jave, në të cilën dëshmia e ish-avokatit të Trump, Michael Cohen cenoi paprekshmërinë e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Gjithashtu vjen përpara publikimit të një raporti nga prokurori special Robert Mueller, që heton për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje dhe bashkëpunimin e ekipit të fushatës së Trump me Moskën.

Drejtuesi i komitetit juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jerry Nadler, i cil do të udhëheqë procedurat e mundshme për shkarkimin dhe ndjekjen penale të Presidentit Trump, i ka idetë e qarta.

“Është shumë e qartë që presidenti pengoi drejtësinë. Ai iu referua shumë herë hetimit të Mueller si gjueti shtrigash. Trump u përpoq të mbronte këshilltarin Flyn nga hetimi i FBI, shkarkoi Comeyn, në mënyrë që të ndalonte hetimin për Rusinë”

Jerry Nadler, Komiteti Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve

Deputeti demokrat thekson se duhet ende shumë punë për të arritur tek “impeachment”, por një zhvillim të tillë e sheh të realizueshëm.

Shkarkoni aplikacionin e A2