Eduard Halimi: Gjykatësit po punojnë si për ditën e fundit

Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi tha në studion e Ditarit në A2 CNN se mungesa e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese është një ngërç i paparashikuar për Reformën në Drejtësi.

“E kishim parashikuar se do të krijohej kjo vakancë në Gjykatën Kushtetuese, por nuk e kishim imagjinuar që do të zgjaste kaq shumë. Kemi gati një vit që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese. Gjykata e Lartë nuk funksionon më prej shtatorit dhe nuk kemi përsëri datë se kur do të krijohet”, tha Halimi.

Sipas tij, problemin më të madh me këto vakanca e vuajnë qytetarët dhe bizneset shqiptare të cilat kanë çështje pezull. “Sot në Gjykatën e Lartë ka rreth 40 mijë dosje dhe është parashikuar që deri në mesin e vitit të ardhshëm, kur mendohet të krijohet Gjykata e Lartë, numri i dosjeve të shkojë në 50 mijë. Me këtë ritëm, çdo qytetari që ka një çështje do t’i duhen 7 vjet që të marrë një vendim nga Gjykata e Lartë”.

Halimi vuri në dukje mungesën totale të llogaridhënies nga ana e gjykatësve të shkallës së parë dhe apelit. “KLP dhe KLP nuk kanë mundësi ligjore inspektimi, po ashtu edhe Prokuroria nuk e ka këtë mundësi dhe as Ministria e Drejtësisë. Institucioni që duhet të kryejë këto inspektime është Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, i cili nuk është formuar ende”, tha ai. “Ishte parashikuar që do të kishte një periudhë të pa kontrolluar, por jo që do të kishte zgjatur kaq shumë. Gjykatësit e shkallës së parë dhe të apelit po japin vendime nga më absurdet. Pasi kanë parë që vetting-un nuk po e kalojnë as gjykatësit e ndershëm, po punojnë si për ditën e fundit”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN