Leja për protesta, Çollaku: Situatë e njëjtë me rrëzimin e komunizmit, s’mund të presim

Kreshnik Çollaku, shefi i departamentit në marrëdhëniet me jashtë në PD dhe anëtar i kryesisë së kësaj partie, ishte i ftuar në “Ditarin” e orës 09:00, ku foli për situatën politike në vend dhe protestën e ditës së nesërme nga opozita.

“Protesta do të mbahet ditën e nesërme dhe presionet që tenton të përdorë qeveria janë qesharake. Secila pjesë është e qartë. Ata përpiqen të kërcënojnë një lëvizje që është shumë më e gjerë se një lëvizje e opozitës. Në anën tjetër, ne e kemi ndarë mendjen. Vendi duhet të shpëtohet nga një qeveri, nga një regjim si ky që po e qeveris. Jemi në gjendje të një situate ekstreme të vendit. Ne dëgjuam njerëzit që na kërkuan të thyejmë këtë sistem. Por ne nuk kishim asnjë mundësi tjetër për të dalë nga sistemi”, tha Çollaku.

Teksa foli për protestën e 5 marsit, ditën e nesërme përballë parlamentit, Çollaku bëri një paralelizëm me atë të viti 1990. Ai tha se nëse do të ishte pritur leja nga Ramiz Alia, ai do të ishte ende në pushtet.

“Janë duke e mbledhur klandestinë parlamentin. Opozita i ka thirrur njerëzit. Le ta vendosin kur të duan orën. 24 orë, 48 orë, një javë, ne do të qëndrojmë atje, për të dhënë mesazhin se ky parlament nuk ekziston më. Njerëzit nuk janë të papërgatitur. Edhe pse seanca e fundit nuk ishte e njoftuar, sërish u mblodhën me mijëra njerëz. Në rast se ne, studentët e dhjetorit të 1990-ës, do të kishim pritur lejen e Ramiz Alisë për t’u mbledhur në shesh për të protestuar, për t’u futur në grevë urie, për të rrëzuar bustin, akoma sot do të ishte Ramiz Alia në këtë vend. Është në mënyrë absolute një paralelizëm me dhjetorin e 1990-ës sepse gjendja është thuajse simetrike. Asnjëherë një qeveri nuk ka arritur, për tragjizmin e vetë, të mbledhë një kundërshti popullore kaq të gjerë”, u shpreh Çollaku.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN