Policia i përgjigjet FSHF-së: Keqardhje për akuzat, vetëm 2 impiante në 61 përmbushin kriteret

Policia e Shteti kthen pas akuzat pas ngjarjeve të  kampionatit shqiptar, të kulminuara me dhunën e ushtruar ndaj arbitrit të ndeshjes Kamza- Laçi.

Në një deklaratë zyrtare, Policia ndihet “e keqardhur” për reagimin e FSHF-së, në veçanti për gjuhën e përdorur dhe atë që Institucioni i rendit cilëson si “shkarkim përgjegjësie” të  Federatës.

Policia thekson se nga 61 terrene sportive, vetëm në 2 stadiumet më të mëdha të vendit, “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi”, përmbushen kushtet e sigurisë për të zhvilluar aktivitete sportive. 

Në impiantet e tjera rezultojnë “problematika dhe mangësi të theksuara”, si dëmtime të rrethimit, prezenca e inerteve, pamjaftueshmëria e portave hyrëse, si dhe mungesa e monitorimit përmes kamerave.

Policia nënvizon edhe se Federata nuk njofton organet e rendit në afatet e përcaktuara, 7 ditë kalendarike përpara zhvillimit të ndeshjes, dhe i kërkon institucioneve të futbollit të  “përmbushin këto përgjegjësi ligjore”.

Në të kundërt, thekson Policia “do të merren masa të ashpra për të penalizuar jo vetëm shkaktarët e akteve të dhunës, por edhe përgjegjësit për mos-marrjen e masave që parandalojnë përshkallëzimet e ngjarjeve me pasoja”.

Në të kundërt, do të merren masa të ashpra për të penalizuar jo vetëm shkaktarët e akteve të dhunës, por edhe përgjegjësit për mos-marrjen e masave që parandalojnë përshkallëzimet e ngjarjeve me pasoja.

Shkarkoni aplikacionin e A2