Protesta e 5 marsit, të rinjtë e LSI krijojnë maska kundërgaz

Ndonëse policia ka kaluar në gatishmëri prej 24 orësh për protestën e 5 marsit, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për opozitën e bashkuar.

Të rinjtë e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë menduar se si mund t’i bëjnë ballë gazit lotsjellës. Me mjete rrethanore ata kanë përgatitur, madje edhe mësojnë të tjerët, se si protestuesit mund të krijojnë maska kundërgaz.

Protestën, Policia e ka konsideruar të paligjshme ndërsa i kërkoi opozitës ta bëjë atë në një vendndodhje tjetër dhe jo pranë Parlamentit, pasi cenohet siguria dhe jeta e deputetëve.

Pas incidenteve më 26 shkurt, këtë herë pranë Parlamentit janë instaluar 5 kamera sigurie me rezolucion të lartë. Të vendosura në hyrje të Parlamentit dhe pranë pedonales, forcat operacionale pritet të identifikojnë të gjithë ata persona që mund të qëllojnë drejt uniformave blu.

Edhe kësaj here, kordoni pritet të jetë i njëjtë me efektivë të rendit dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë, ndërsa pritet të shihet nëse do të jetë e nevojshme ndërhyrja e autobotit për shpërndarjen e turmës, e cila kësaj here ka marrë masa për gazin lotsjellës.

Shkarkoni aplikacionin e A2