Shulku: Policia nuk ka marrë përgjegjësitë që i takojnë

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, ka fajësuar Policinë e Shtetit për ngjarjen e shëmtuar që ndodhi të dielën në stadiumin e Kamzës, ku u godit gjyqtari i ndeshjes, Eldorian Hamiti.

“Policia nuk ka marrë përgjegjësitë që i takojnë për incidente të ndryshme, duke nisur nga ndeshja Skënderbeu-Tirana në fillim të sezonit. Asnjë masë, asnjë dënim, as në ndeshjet ku ka pasur probleme, si në Kamzë ku u godit me gur anësori, apo në Tiranë, ku u sulmua zyrtari i Flamurtarit”, tha Shulku në një konferencë për shtyp.

“Shteti shqiptar u ka ngarkuar klubeve edhe barrën e pagesës së forcave të sigurisë private. Bëhet show nga policia si në derbi, ku vetëm në fund të ndeshjes u futen forcat speciale. Tani lind pyetja: A është i interesuara shteti shqiptar të vijojë futbolli në këtë vend, sepse kështu nuk mund të vazhdohet”.

Ai i bëri thirrje Policisë që të marrë përsipër mbarëvajtjen e ndeshjeve. “Kërkojmë që klubet të organizojnë si duhet ndeshjet dhe kërkojmë që komisionet përkatëse të tregohen sa më të ashpra me këto ngjarje”, shtoi Shulku.

Ndërsa Tahir Kastrati, Presidenti i Shoqatës së Arbitrave tha: “Jeta e gjyqtarëve është në rrezik dhe kjo është më e rënda. Ne si shoqatë kërkojmë me forcë që të ndalet dhuna në stadiume, që vjen si rrjedhojë e mosveprimit të policisë së shtetit”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN