FMN: 26% është ekonomia informale në Shqipëri

Mbi 26% e ekonomisë shqiptare është informale, që ndryshe njihet si ekonomia gri. Të dhënat bëhet publike nga një studim i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar, në bazë të përllogaritjeve për vitin 2015.

Kjo pjesë e ekonomisë zë të gjithë aktivitetin që i shmanget pagesës së taksave, punonjësve të padeklaruar, korrupsionin, si dhe të ardhurat e tjera nga aktivitete të jashtëligjshme.

Sipas këtij dokumenti, Shqipëria ka bërë pak progres vitet e fundit në uljen e informalitetit, ndërsa prej vitit 2012 deri në 2015, ekonomia e zezë është në rritje.

Shifra prej 26% është ndjeshëm më e lartë se vendet e Bashkimit Europian, por e krahasueshme me vende si Greqia, Turqia apo Bosnje dhe Hercegovina.

FMN jep si zgjidhje për uljen e ekonomisë në hije përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike dhe rritjen ekonomike, si një faktor që inkurajon bizneset dhe individët të përfitojnë nga kjo rritje.