Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Himni mbyll sërish protestën, Basha: Gati për “uraganin” e pamposhtur më 16 mars

Nga A2 CNN
5 Mars 2019, 13:27 | Politikë
Himni mbyll sërish protestën, Basha: Gati për

Protesta e katërt e opozitës u mbyll, po ashtu si të shkuarat, në selinë e Partisë Demokratike, me fjalën përfundimtare të Lulzim Bashës.

Ai tha se opozita po punon për të ardhmen e shqiptarëve. Ndërkohë, Basha u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të marrin pjesë në protestën e 16 marsit.

“Sot, në të katërtën protestë radhazi, populli i bashkuar ka përfunduar etapën e fundit të asgjësimit të asamblesë së krimit. Por dita e sotme ka një rëndësi që shkon përtej të treguar të fytyrës së shëmtuar të këtij pushteti që vjedh shqiptarët, ka meritën e ndezjes së shpresës së çdo shqiptari të së nesërmes që po vjen. Shumë prej jush, prej më shumë se 6 orësh në këtë protestë. Sot e kemi çuar njëherë e mirë në shtëpi Parlamentin e krimin dhe i kemi hapur shtegun e vetëm ku do të kalojë e ardhmja e çdo shqiptari. Zgjidhja politike është largimi një orë e më parë i shkaktarit kryesor, kryezullumqarit Edi Rama. Ikja e tij fundi i pjesës së parë të kësaj beteje që do të vazhdojë. Edhe miqtë e tij më të ngushtë, me gjysmë zëri e dinë fare mirë të vërtetën që ju keni buçitur sot. Edi Rama ka mbaruar, regjimi i tij ka marrë fund. Sado të përpiqet ta zgjasë agoninë e tij, aq më shumë do t’i shtohet makthi para popullit dhe fatura që do të paguajë para drejtësisë. I bëj thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në një akt tjetër të madh që do të na bashkojë me 16 mars në protestën vendimtare për të përcjellë kufomën politike të sektit kriminal të Rilindjes, për të shpëtuar Shqipërinë, madje për të çliruar edhe Partinë Socialiste. Dua të falënderoj burrat dhe gratë që dorëzuan mandatet vijuese në KQZ, duke i vënë vulën rrugës së pakthyeshme.

Mos kini frikë, asgjë nuk do ta ndalë popullin nga vullneti për të marrë në dorë fatet e tij. Ajo që po vjen është liria juaj, fundi i arrogancës dhe krimit. Ajo që ne po ndërtojmë të gjithë së bashku është Shqipëria e shqiptarëve. Mbushini zemrat me kurajën e shpresës që ju ndezët. Ora e Shqipërisë Europiane po troket. Gati për uraganin e pamposhtur më 16 mars”, tha Basha pas mbylljes së protestës së ditës së sotme.

A2 CNN Livestream

Dita jonë