Mbyllet protesta e opozitës, Basha: Nuk ka Europë me Shqipërinë si Kolumbia

A2 CNN, live në YouTube

13:25 – Mbyllet protesta e katërt e opozitës, organizuar edhe këtë herë para Parlamentit ndërkohë që në sallë mbahej seanca plenare, ku u betuan edhe 4 deputetë të rinj, të cilët vinin nga lista e kandidatëve të LSI.

Pasi iu drejtua selisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku kandidatët e tjerë të opozitës dorëzuan dorëheqjen nga mandatet, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli para mbështetësve të mbledhur në selinë e PD. “Ora e fundit e qeverisë ka mbërritur”, tha Basha. “Tani bëhemi gati për “uraganin” e pamposhtur të 16 marsit”, shtoi ai, duke iu referuar protestës së radhës që opozita do të organizojë para Kryeministrisë.

12:50 – Kandidatët e opozitës po dorëzojnë dorëheqjet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në ambientet e KQZ edhe Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe liderët e tjerë të opozitës.

12:45 – Mbyllet seanca në Kuvend. Të gjithë deputetët largohen nga salla.

12:40 – Basha dhe krerët e tjerë të opozitës, janë nisur drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

12:25 – Tensionohet situata para Parlamentit, pasi protestuesit i kanë vënë flakën disa gomave dhe kanë nisur të hedhin tymuese dhe kapsolla në drejtim të policisë.

Ndërkohë, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, akuzoi kandidatët që kanë pranuar të marrin mandatin e deputetit. “Ata pak të mjerë që futen në atë godinë shesin shpirtin, përdhosin emrin e tyre, janë turpi i familjeve të tyre, turpi i shqiptarëve”. Ai falënderoi të tjerët që nuk pranuan të bënin të njëjtën gjë. “Zëri juaj tashmë është dëgjuar”, iu drejtua ai turmës. “10 ditë më parë opozita iu përgjigj diktatit të sovranit. Falënderoj nga zemra ata qindra zonja, zonjusha dhe zotërinj patriotë, kandidatë të listave, që djegin mandatet e tyre”, tha Basha.

Sipas kreut të PD, nëse nuk ndryshon situata politike, do të jetë e pamundur që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian. ““Nuk ka Europë me Shqipërinë si Kolumbia, nuk ka Europë me qeverinë e bërë njësh me krimin, nuk hapen dyert e Europës për kryehajdutin Edi Rama. Por ne do të hapim derën e drejtësisë”, tha Basha.

12:05 – Ish-deputeti Flamur Noka është shprehur për A2 CNN se Parlamenti e ka humbur legjitimitetin. Ai ka thënë se deputetët janë futur ditën e sotme në Kuvend me autoambulanca.

“Deputetët janë futur me ambulanca, Parlamenti ka humbur legjitimitetin. Janë futur në mënyrë ilegale. Parlamenti ka delegjitimuar veten. Unë jam qytetarë si gjithë të tjerët. Nuk mund të zgjasë jetën pushteti i rrethuar nga populli. Nuk mund ta mbrojnë karrigen me tela me gjemba. Situata është ajo që flet populli dhe jo ajo që thotë Rama”, tha Noka.

11:35 – Policia sekuestron një qese me kapsolla pranë ish-selisë së Partisë Demokratike, te Pedonalja, ndërsa në afërsi të Gjykatës së Tiranës është ndaluar një furgon me shkopinj dhe lëndë plasëse pa dokumentacionin e duhur. Ende nuk dihet nëse furgoni ishte drejtuar për te protestuesit, por drejtuesi i mjetit është shoqëruar nga Policia. Edhe në afërsi të drejtorisë së policisë së Tiranës është ndaluar një tjetër i ri i cili kishte me vete shkopinj, pankarta dhe kapsolla.

Megjithatë, situata para Parlamentit duket e qetë ndërkohë që ish-deputetë dhe njerëz të ndryshëm ngjiten në një podium të improvizuar për të folur para publikun.

Gjendja monitorohet me kamera me rezolucion të lartë dhe pas kordonit fillestar të policëve të rendit qëndrojnë efektivët e gardës që mbajnë në çanta gaz lotsjellës për t’u përdorur nëse do të jetë nevoja.

10:35 – Kryetari i Partisë Demokratike dhe pjesa më e madhe e ish-deputetëve kanë mbërritur pranë protestuesve, që janë edhe më të shumtë në numër, ndërsa kanë nisur edhe fjalimet ndërsa turma bërtet “Rama ik”. Ndërkohë, Kryeministri Rama është larguar nga salla e kuvendit, menjëherë pasi mbajti edhe një fjalim aty, ku akuzoi opozitën si pa ide dhe pa program.

Ashtu si herën e kaluar, protestuesit duket se po përgatisin të djegin goma, për të shprehur indinjatën e tyre ndaj Qeverisë.

10:20 – 10:20 – Është shtuar numri i protestuesve të mbledhur para Parlamentit, ndërkohë që brenda po flet Kryeministri Edi Rama. Disa prej tyre kanë hedhur edhe tymuese në drejtim të rreshtit të parë të forcave të Policisë.

09:40 – Rrethimi i Parlamentit, Braho: Policia po bën detyrën

Para nisjes së seancës në orën 10:00 në Kuvend, Spartak Braho ka dhënë një deklaratë për mediat ku ka komentuar masat e marra nga policia për sigurimin e deputetëve dhe qetësisë publike gjatë protestës së opozitës ditën e sotme.

“Policia bën detyrën. Në Angli është më keq. Do mësohemi me këto masa”, ka thënë Braho.

09:30 – Kryeministri Rama do të jetë i pranishëm në seancë. Seanca pritet të zgjasë rreth 2 orë, ku do të bëhet edhe betimi i 4 deputetëve të LSI.

***

Seanca e Kuvendit nis sot në orën 10:00, ndërsa në anën tjetër, opozita do të mbajë protestën e radhës njëkohësisht me zhvillimet në Parlament.

Ministrisë së Brendshme i është kërkuar të garantojë sigurinë fizike të deputetëve. Policia e Shtetit ka refuzuar njoftimin e demokratëve për protestën, duke i kërkuar anulimin e saj, me argumentin se rrezikohet jeta e deputeteve dhe cenohet siguria kombëtare.

Ndërkohë, sot pritet të betohen edhe 4 deputetët e rinj të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët pranuan mandatin e deputetit, pas dorëheqjes së opozitës së bashkuar.

Drejt marrjes së mandatit të deputetit është dhe Lefter Maliqi i PD, i cili dorëzoi në KQZ formularin e dekriminalizimit.

Politikisht Maliqi iu bashkua Partisë Socialiste që në fushatën zgjedhore të 2017-ës, ndërsa dilema e Rudina Hajdarit po zgjat.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN