“Opozitës së re” i shtohen edhe 5 kandidatë

5 kandidatë të tjerë, nga PD dhe LSI u treguan të gatshëm të marrin mandatet e dorëzuara nga deputetët e opozitës. 3 prej tyre janë nga LSI dhe 2 nga listat e PD. Ata kanë dorëzuar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit, duke i hapur rrugë kështu marrjes së mandatit të deputetit.

Ata janë Ediola Pashaj nga LSI në Gjirokastër, Elda Hoti, kandidate e LSI në Lezhë dhe Edlira Hyseni, e 6-ta në listën e LSI për qarkun Durrës. Nga radhët e Partisë Demokratike, mandatin do ta pranojnë Majlinda Halilaj në listën e Tiranës dhe Ligoraq Karamelo në listën e Korçës. 5 emrat e sotëm e çojnë në 9 numrin e deputetëve të rinj të opozitës në kuvend.

Më herët, Aurora Mara, Ylli Shehu, Edmond Rrushaj dhe Enver Roshi u bënë katër deputetët e rinj të Kuvendit. Ata zëvendësuan Edmond Haxhinaston, Floida Kërpaçin, Endrit Brahimllarin dhe Përparim Spahiun.

Shkarkoni aplikacionin e A2