Betohen 4 deputetët e rinj të LSI

Ndiqni seancën live në A2 CNN

12:45 – Mbyllet seanca në Kuvend. Të gjithë deputetët largohen nga salla.

11:05Betohen 4 deputetët e rinj të LSI. Aurora Mara, Ylli Shehu, Edmond Rrushaj dhe Enver Roshi janë katër deputetët e rinj të Kuvendit. Ata zëvendësojnë Edmond Haxhinaston, Floida Kërpaçin, Endrit Brahimllarin dhe Përparim Spahiun.

11:02 – Rama, nga Kuvendi në Itali: 24 orë për të mbrojtur Shqipërinë

Menjëherë pasi mbylli fjalën e tij në Kuvend, Edi Rama u largua dhe duket se është nisur menjëherë drejt Italisë.

Rama postoi në “Twitter”: “Në Itali 24 orë për të mbrojtur Shqipërinë, pas cenimit të rëndë ndërkombëtar nga shfaqja e turpshme të dhunës partiake të 16 shkurtit e në vazhdim, që kërcënon investitorët e planet e tyre dhe turizmin që punëson e ushqen dhjetëra mijëra njerëz. #ShqipëriaqëDuam🇦🇱#FinoAllaFine”.

Edhe fjalën e tij në Kuvend, Rama e nisi duke iu drejtuar mediave italiane, për të cilat tha se protesta nuk është popullore, por një reagim brenda pallatit të politikës.

10:35 – Ndërpritet për gjysmë ore seanca, teksa do të përgatitet betimi i katër deputetëve të rinj të LSI

10:30 – Pasi mbylli fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama u largua nga seanca.

***

Rama: Me opozitën e re çojmë përpara reformën zgjedhore

Edi Rama është i pranishëm ditën e sotme në seancën e Kuvendit, ndërsa jashtë saj Opozita mban protestën e katërt të saj. Në këtë seancë do të betohem edhe 4 deputetët e rinj të LSI.

Edi Rama, në fjalën e tij në Kuvend, u shpreh se nuk bëhet fjalë për një protestë popullore, por një reagim brenda pallatit të politikës.

“Nuk është një protestë popullore, por është një reagim brenda pallatit të politikës së opozitës, që për asnjë moment nuk pati sensin e realitetit dhe të reflektimit në radhë të parë. Ajo që ndodh sot është vijimi i një rruge pa krye. E vetmja gjë e re është vendimi politik vetëvrasës i opozitës. Jemi në kushtet e një sezoni të ri të një seriali të njohur. Nëse i bëni një thirrje të shpejtë kujtesës, kur 2 vite më parë në bulevard u ngrit në çadër, nga ku do ndërtohej një republikë e re, me një qeveri pa Edi Ramën kryeministër”, tha Rama.

Edi Rama e quajti opozitën një grup njerëzish pa ide. “Pas zgjedhjeve askush nuk e kontestoi rezultatin, pasi të gjithë komisionerët e PD firmosën. Jemi të gjithë dëshmitarë çfarë opozite kemi pasur këtu në sallë. Një grup njerëzish pa ide, pa program, pa përgjegjësi për të përfaqësuar ata që i votuan. Ne me mandatin nuk luajmë bixhoz si ata. Qëndrojnë grupe të financuesve të bixhozit dhe grupe të tjera që kanë humbur shumë privilegje nga kjo qeveri. Një i humbur i madh i bixhozit i qëndronte në krah Bashës. Lëvizja e tyre nuk i bën efekt PS”, tha Rama.

“Ata nuk kanë asnjë shans që atë të bëhen shumicë, aq më pak sot kur ne jemi kompakt dhe të vendosur. Opozitën nuk e zgjedhim, e kanë zgjedhur të tjerët. Ndoshta kjo është një e keqe për ata, por i kanë bërë një të mirë vendit. Ka të tjerë që kanë ardhur sot e që do të vazhdojnë të vijnë. Ka të tjerë që mezi kanë pritur të shpëtojnë nga të njëjtat fytyra, nga të njëjtat sharje. Ne duhet të vazhdojmë drejt, pa harruar që në axhendën tonë ka punë për të bërë”.

Rama u shpreh se me opozitën e re në parlament do të çojë përpara reformën zgjedhore.

Por në fund, Kryeministri tha se mazhoranca është gjithmonë e gatshme për të folur, por jo për të negociuar rregullat e sistemit. “Jemi të gatshëm të dialogojmë për gjithçka, por nuk do të jemi gati të negociojmë rregullat themelore të këtij sistemi. Demokracinë, parlamentarizimin dhe mbi të gjitha, mandatin e marrë nga shumica e shqiptarëve nuk e negociojmë me askënd. Në qershor Shqipëria ka zgjedhje vendore. Ata e dinë se nuk kanë asnjë shans dhe këtë e dinë të gjithë. Nuk kanë asnjë shans të marrin asnjë nga bashkitë që ne kemi, por rrezikojnë edhe ato që kanë. Madje, ne mund t’i fitojmë të gjitha bashkitë, nëse nuk duan që kjo të ndodhë, të vijnë në sheshin e betejës e të shohin ku janë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2