“Antigona”, tragjedia antike në realitetin politik shqiptar

Në një kohë politike ku dikush përpiqet të mbajë pushtetin, ndërsa të tjerë të protestojnë kundër tij, vjen në skenën teatrale “Antigona”.

Por nuk është tragjedia antike e Sofokliut, është vepra e francezit Jean Anouilh, që më shumë se kurrë i flet edhe aktualitetit në Shqipëri. Përballë turmës, ai që do të mbajë pushtetin është Kreoni, që timonin e drejton pa dashur të dëgjojë për idealet.

Fjala që njeh më së miri është pushteti dhe në skenën e teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli” këtë kostum e vesh Ervin Bejleri.

Pamje nga shfaqja

 “Kam menduar që teatri është politikë se ka fuqinë e madhe që bën njerëzit të mendojnë, dhe kjo vepër bën të njëjtën gjë. Antigona sa herë mblidhet parlamenti në protestë, rojet i kemi si ato që dje kishin bllokuar pedonalen, pra janë personazhe reale”. thotë Bejleri.

Përballë tij qëndron Antigona, heroina e kësaj tragjedie, ajo e cila ka ideale dhe lufton për to.

 “Antigona më ka bërë të dashurohem me të nga momenti që ajo nuk do që të bëj kompromise me gjërat që nuk i pëlqejnë”, vijon aktorja Laura Nezha.

Edhe pse me një fund jo shumë të lumtur, vepra që pati sukses që në vitin 1944 kur u vendos për herë të parë në Paris, në Tiranë vjen në kurimin e regjisores franceze Andrea Brusque, nga kjo fundjavë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN