Basha: Të shembim sistemin, jo vetëm Edi Ramën

Pas takimit me të ngarkuarën me punë në Ambasadën Amerikane, Leyla Moses-Ones, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk pranoi të komentonte bisedën me të, por njoftoi se në bashkëpunim me Institutin Republikan Amerikan në Shqipëri po përgatit skemën që kandidatët për deputet të Partisë së tij të zgjidhen me sistemin “një anëtar një votë”.

“Qëllimi nuk është thjesht rrëzimi i Edi Ramës, por shembja e sistemit. Një sistem që e ka kthyer Parlamentin dhe Qeverinë nga njerëzit e thjeshtë dhe qytetarët dhe e ka kthyer një vegël të krimit të organizuar dhe një grushti oligarkësh grabitqarë”, tha Basha.

I pyetur nga A2 CNN për mundësinë për dialog me Edi Ramën, Basha tha: “Nuk kam ndërmend të flas për komentet e shkaktarit të kësaj krize. Populli do të flasë më 16 mars, Edi Rama bën mirë ta dëgjojë zërin e popullit dhe t’i hap rrugë zgjidhjes politike dhe të lejojë hetimin e dosjes 339 dhe 184. Natyrisht ai nuk do ta bëjë këtë sepse është pjesë e kësaj dosjeje, prandaj populli do të marrë në dorë fatin e tij. Dialogu mes meje dhe Ramës provoi të ishte i dëmshëm për interesat e Shqipërisë nga mënyra se si u keqpërdor nga një njeri që hiqet si kryetar i Partisë Socialiste por është reduktuar në një bashkëpunëtor të krimit të organizuar”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN