Boshatiset Shqipëria, Tirana i vetmi qark me rritje

Në 12 vitet e ardhshme, Shqipëria do të pësojë ndryshime të mëdha demografike dhe rrjedhimisht, edhe ekonomike. Popullsia në të gjitha qarqet e vendit do të tkurret, me përjashtim të Tiranës.

Instituti i Statistikave ka konstatuar në projeksionet e përditësuara 2019 – 2031 se i vetmi qark, popullsia e të cilit do të rritet deri në vitin 2031 është Tirana. Kjo rritje pritet të jetë sa 6.6 % e popullsisë së kryeqytetit aktualisht. Në vitin 2031, popullsia e qarkut të Tiranës pritet të përbëjë rreth 35 % të popullsisë së Shqipërisë me rreth 954 mijë banorë.

INSTAT konstaton se popullsia e të gjitha qarqeve të tjera të Shqipërisë pritet të zvogëlohet. Popullsia e Qarqeve të Kukësit dhe Dibrës do të tkurret deri në vitin 2031 me mbi 20 % të popullsisë që kanë aktualisht.

Ndërkohë që popullsia në qarqet e Beratit, Elbasanit, Fierit dhe Gjirokastrës pritet të zvogëlohet me nga 10 % – 14 % të popullsisë respektive. Qarku me numrin më të vogël të popullsisë do të vazhdojë të jetë Gjirokastra me rreth 52 mijë banorë në vitin 2031, i ndjekur nga Kukësi dhe Dibra, respektivisht me rreth 60 mijë dhe 94 mijë banorë.

Një ndryshim i tillë padyshim do të shoqërohet me nevojën për strukturim të ekonomisë. Kjo pasi edhe bizneset do të detyrohen të përqendrohen në Tiranë, aty ku është edhe fuqia punëtore. Mungesa e krahut të punës ka filluar të ndihet aktualisht tek bizneset, kryesisht ai fason në disa qytete, ku ka edhe emigrim të lartë, kryesisht tek të rinjtë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN