Kampionati në rrezik pezullimi, Nurishmi: presim edhe një javë

Lysien Nurishmi, shefi i Sektorit të Garave në FSHF, ishte I ftuar mëngjesin e sotëm në “Dita Jonë” në A2CNN nga ku foli për dhunën në futbollin shqiptar, e cila u rikthye fundjavën e kaluar në stadiumin e Kamzës, ku tifozët dhunuan arbitrin e ndeshjes.

Nurishmi u shpreh se futbolli në vendin tonë nuk është ende gati të zhvillojë ndeshje pa praninë e policisë.

“Tifozët, drejtuesit e klubeve dhe policia, janë faktorët e që ndikojnë në dhunën në stadiumet shqiptare. Këtë sezon ne e kemi ngritur zërin që në ndeshjen e parë hapëse, ku tifozët u futën në fushën e Korçës. Klubet nuk jemi gati të zhvillojmë ndeshje pa praninë e policisë në stadiume”, tha Nurishmi.

Nurishmi konfirmon deklaratën e FSHF duke lënë të hapur mundësinë e pezullimit të kampionatit.

“Policia nuk është shprehur qartë se kërkon të paguhet ekstra nga Federata. Duhet të kemi një ligj, pasi ne jemi shoqatë jofitimprurëse. Shoqata e arbitrave janë shprehur se nuk shkojnë në stadiume nëse nuk i garantohet jeta. Ne do të shikojmë edhe këtë javë se çdo të ndodhë dhe pastaj mund të ketë edhe ndonjë vendim drastik”, u shpreh Nurishmi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN