Kriza politike, Rama dhe Basha nuk “lëshojnë pe”

“Dua t’ju them se ajo që shihni nuk është një revoltë e popullit. Nuk është populli ai në shesh. Është një revoltë në pallatin e politikës. Establishmenti që u mund me një diferencë prej 1 milionë votash 5 vite më parë, nuk e pranon dot disfatën”

Edi Rama, Kryeministër

Kryeministri Edi Rama i justifikoi me këto fjalë pamjet e protestave disa javore opzitare, të shfaqura në nisje të intervistës së tij për emisionin “Porta a Porta” në Rai Uno. Rama foli gjithashtu për situatën e shumë diskutuar të prodhimit të kanabisit në vend, duke ju përgjigjur pretendimeve se Shqipëria është shndërruar në Kolumbinë e Europës.

“Në 2013 , kur morëm pushtetin Shqiperia kishte 400 mijë hektarë të mbjella me kanabis. Vitin e kaluar sipërfaqja u reduktua në 0,8 hektarë, sipas të dhënave zyrtare të Guardia di Fiananza”

Edi Rama, Kryeministër

Gjatë emisionit u shfaq gjithashtu një intervistë me kreun e opozitës Lulzim Basha, i cili ripërsëriti akuzat e tij për blerje të votave me paratë e drogës.

“Shqipëria ka dy probleme të mëdha. Një është ai i demokracisë, dhe tjetri i kriminalitetit. 5 vitet e fundit Shqipëria u bë prodhuesi dhe eksportuesi numër 1 i mariuanës. Me paratë e mariuanës u kalua në trafikun e kokainës dhe heroinës. Me qindra milionët e përfituara nga trafiku i drogave të forta janë blerë zgjedhjet, polica, drejtësia, media dhe një pjesë e madhe e ekonomisë private e publike”

Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike

Për 4 vjet thotë ai, Shqipëria ka pasur ministër të brendshëm Saimir Tahirin, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge. Basha kujton gjithashtu se edhe vëllai i pasuesit të Tahirit, Fatmir Xhafaj, është dënuar në Itali si pjesëtar i një organizate trafikantësh. Mes të ftuarve në studio ishte edhe drejtori sportiv i ekipit të Lazio-s, Igli Tare, i cili pohoi se gjithçka po ndodh në “tokën e shqiponjave” po e dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN