Majko: Diaspora, projekti më i rëndësishëm shqiptar nga pavarësia e Kosovës

Me politikën që po përjeton një nga krizat e saj më të vështira dhe të “paparashikueshme”, siç e cilëson vetë ai, Pandeli Majkos i rikthehet buzëqeshja kur përshkruan çështjet e diasporës, që kulmuan këtë javë në një Samit që gjithsesi nuk iu shmang kritikave.

Por, ndryshe nga vendimet në Parlament, Majko këtu i jep kreditë opozitës. “Opozita ka qenë dakord për reformën që lidhet me diasporën,  për të drejtën e votës etj, do të ishte e pandershme po të deklaroja të kundërtën”.

Dhe nuk mund të ishte kundër sepse sipas ish kryeministrit, diaspora përfaqëson “projektin më të rëndësishëm pas pavarësisë së Kosovës, me një histori ende të pashkruar”.

Sipas tij, tashmë pyetja që duhet bërë është çfarë i intereson atyre, sepse diaspora nuk ka më vetëm detyrime, por edhe të drejta. Ajo e votës është sigurisht më e kërkuara, dhe Majko thotë që po punojnë për përpilimin  e një liste të saktë të votuesve jashtë vendit, përmes deklarimit të saktë të banesës gjatë aplikimit për pasaportën ose kartën e identitetit.

Aspekti ekonomik nuk shkon mbrapa, dhe Majko kujton se për sa i përket remitancave po punohet për një studim më të thellë çështjes, me ndihmën e Bankës së Shqipërisë që për herë të parë ka dalë me një raport specifik, por edhe partnerëve ndërkombëtarë që me projekte pilot si Greenback në Berat, ndihmojnë në një menaxhim më të mirë të resurseve të remitancave, që për ministrin në “80% të rasteve shpenzohen për ndërtime ose për bursa në shkollë”, ndërkohë që në vende të tjera kanë krijuar bazat e një lulëzimi të ekonomisë.

Por përtej çështjeve ekonomik edhe burokratike, diaspora do të ketë një rol të rëndësishëm nëse do të mbajë të gjalla traditat dhe sigurisht gjuhën e përbashkët. Këtu Majko jep një lajm të gëzuar, rreth koordinimit të mësimit në gjuhën shqipe.

“Së shpejti do të kemi një regjistër të mësuesve në diasporë të pajisur me certifikatë edhe nga ministria e Arsimit shqiptare edhe nga ajo e Kosovës, dhe fëmijët do të kenë mundësi të studiojnë në të njëjtat libra. Nga kaosi po arrimë në një përgjegjësi dy shtetërore, do të mblidhemi shumë shpejt për t’u takuar, në Tiranë ose në Prishtinë”, deklaron Majko.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN