Petro Koçi: PD në protestë nga viti 1998, zgjedhje ekstremiste

I ftuar në “Ditarin” e orës 09:00 në A2 CNN, Petro Koçi, zëvendësministër i Mbrojtjes, foli për situatën politike në vend.

“Është një situatë anormale që një pjesë e parlamentit të braktisë betimin që kanë bërë ndaj Kushtetutës. Por kjo është një zgjedhje e njëanshme. Zoti Basha dhe zonja Kryemadhi janë grifshëruar më shumë se ç’duhet. Ata e kanë të sigurt që nuk kanë besimin e popullit për të fituar zgjedhje. Ata kërkojnë të kalojnë mosbesimin ndaj tyre në mosbesim te mazhoranca, por me këtë nuk mund të luhet, Nuk mund të luhet me zgjedhjet”, tha Petro Koçi.

Më tej, Petro Koçi renditi edhe motivet që kanë çuar opozitën në këtë situatë aktuale. “Pafuqia për të pranuar realitetin elektoral është motivi i parë që e ka çuar opozitën në këtë situatë. Motivi i dytë është frika nga drejtësia, frika personale, lidhja dhe aleanca e hapur e opozitës, sidomos e PD, por edhe e LSI me drejtësinë e korruptuar të deritanishme. Shtysa e tretë vjen nga segmente që nuk janë të interesuara për stabilitet në rajon. Është e njëjta skemë që ka funksionuar në Maqedoni, u tentua në Greqi, janë të njëjtat fuqi që deshën të bënin grusht shteti në Malin e Zi”, u shpreh Petro Koçi.

Spasi Petro Koçit, PD ka që nga viti 1998 në protestë. “PD është partia që ka bërë zgjedhje të përgjakshme në vitin 1996, jo të manipuluara, të përgjakshme. Në 28 maj 1998 kanë bërë të njëjtën gjë, kanë përgjakur sheshin “Skënderbej”, kanë bërë 14 shtatorin, kanë bërë 21 janarin. Ata bëjnë të njëjtën gjë edhe kur janë në pushtet edhe kur janë në mazhorancë. Kjo është zgjedhje ekstremiste. Është një situatë tragjikomike”, tha Petro Koçi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN