Scaparrotti: Situatë shumë e brishtë e sigurisë në Ballkan

Situata e sigurisë në Ballkan është shumë e brishtë. Kështu është shprehur komandanti i forcave Amerikane në Europë, Curtis M. Scaparrotti, gjatë një dëshmie parakomitetit për Forca të Armatosura të Senatit. Ai paralajmëron se vendet e Ballkanit janë në shënjestër të ndikimit malinj të Rusisë.

“Negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve dhe arritjen e një zgjidhje afatgjate që është e zbatueshme për dyja vendet janë aktualisht në pritje. Rusia e ushqen paqëndrueshmërinë rajonale në përpjekje për të parandaluar vendet e Ballkanit në përparimin e tyre drejt integrimit euroatlantik”, tha Curtis m. Scaparrotti, komandant i SHBA në Europë.

Më tej, komandanti amerikan thekson faktin se Rusia kundërshton njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe ruan ndikimin e saj në Serbi përmes ndihmës politike, ushtarake dhe ekonomike.

Scaparrotti tha në dëshminë e tij se misioni i KFOR-it në Kosovë luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Ndër të tjera nënvizoi faktin që Rusia është konkurrent afatgjatë strategjik që i sheh Shtetet e Bashkuara dhe Aleancën e NATO-s si kërcënim kryesor për ambiciet e saj gjeopolitike.