PSG “e mallkuar” në Champions, penalltia në fund e eliminon

Nuk mbaron kurrë mallkimi i Paris Saint Germain në Champions. Fitorja 0-2 në Manchester e bënte të thjeshtë kalimin në turnin tjetër, por për parisienët nuk është thënë të triumfojnë.

Që nata nuk do të ishte e thjeshtë u kuptua që në minutën e dytë, kur sulmuesi Romelu Lukaku shënoi ende pa u ngrohur mirë.

Reagimi i PSG ishte i denjë, me francezët që gjejnë golin e barazimit dhjetë minuta më vonë me Bernat.

Ndeshja duket sikur ka marrë një drejtim të qartë, edhe pse përsëri Lukaku shënon në minutën ‘30 për “djajtë” anglezë.  

Pjesa e dytë është më e vëmendshme nga të dy ekipet, me raste nga të dy ekipet, dhe me PSG që godet shtyllën sërish me Bernat në minutat e fundit, që mund të mbyllte çdo gjë.

Por Arbitri Skomina dhe Var bëhen protagonistë në minutat shtesë, ku një prekje me dorë e Kimpembe gjykohet si e mjaftueshme për penalltinë e shënuar nga Marcus Rashford.  

Për portierin legjendar Gianluigi Buffon, një fat vërtet cinik: është hera e dytë që ekipi i tij eliminohet me një penallti në minutat e fundit, pas Juventusit në ndeshjen e vitit të kaluar me Real Madridin.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN