7 Marsi, dhurata dhe aktivitete për Ditën e Mësuesit

7 Marsi është një ditë kushtuar mësuesve shqiptarë, ku vlerësohet kontributi i tyre dhënë për edukimin e brezave. Në shkollat e gjithë vendit dita ka nisur me aktivitete, për të respektuar ata që edukojnë brezin e ri.

Edhe këtë vit, nxënësit shqiptarë nuk e kanë ndryshuar traditën për t’i bërë dhurata mësuesve të tyre, ndërsa thonë për A2 CNN se përveç të zakonshmeve, një dhuratë e mirë është konsideruar edhe paketa e masazheve, por nuk kanë munguar edhe paratë në dorë, në mënyrë që mësuesja ose mësuesi ta zgjedhë vetë dhuratën.

Urimi i Presidentit Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka uruar të gjithë mësuesit shqiptarë përmes një postimi në rrjetet sociale, shoqëruar me një foto nga Mësonjëtorja e parë.

“Të dashur mësues, pedagogë e profesorë shqiptarë: Gëzuar nga zemra 7 Marsin, Ditën e Mësuesit! Nderim përjetë, respekt dhe mirënjohje ndaj veprës tuaj të ndritur dhe suksese në misionin fisnik të përçimit të dijes dhe vlerave qytetare e atdhetare!”, shkruan Meta në Facebook.

Të dashur mësues, pedagogë e profesorë shqiptarë: Gëzuar nga zemra 7 Marsin, Ditën e Mësuesit! Nderim përjetë, respekt…

Gepostet von Ilir Meta am Mittwoch, 6. März 2019

Historiku i 7 Marsit

Në 7 mars 1887 hapet Mësonjëtorja e Korçës, shkolla e parë në gjuhën shqipe (quhet e para ndoshta sepse për herë të parë mësimi shqip kryhet në mënyrë të organizuar dhe në bazë të një programi mësimdhënës). Mësonjëtorja kishte fillimisht 35 nxënës me 4 klasa mësimi dhe 1 klasë përgatitore. Lëndët ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN