Danielsson: Shpresoj që ftesa ime të dëgjohet

Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Europian, Christian Danielsson, tha në një konferencë për shtyp në Tiranë pas takimeve me aktorët kryesorë politikë shqiptarë se palët duhet të bashkëpunojnë për të kontribuar në anëtarësimin e vendit në BE.

“Duhet të vazhdojnë përpjekjet për të realizuar Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por edhe çështjeve themelore të të drejtave të njeriut, si ato të pronës”, tha Danielsson. “Shpresoj që për të mirën e Shqipërisë, ftesa ime për të realizuar një klimë politike më të konstruktive të mos mbetet e padëgjuar sepse kjo do të jetë gjë e mirë për këtë vend dhe rrugëtimin e tij drejt Bashkimit Europian”.

Zoti Danielsson përsëriti edhe një herë qëndrimin e ndërkombëtareve mbi djegien e mandateve nga ana e deputetëve të opozitës. “Parlamenti duhet të jetë funksional, kjo është përgjegjësi e shumicës dhe opozitës. Bojkoti i Parlamentit nuk përkon me këtë qasje dhe nuk çon në dialog”, u shpreh ai. “Mungesa e opozitës në Parlament nuk e ndihmon çështjen e çeljes së negociatave. Është thelbësore që institucionet demokratike të funksionojnë, dhe bojkoti i Parlamentit nuk ndihmon për këtë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2