Takimi me Danielsson, Basha: Të vendosur ta shembim këtë sistem

Pas takimit me drejtorin për Zgjerimin në Komisionin Europian, Christian Danielsson, kreu i PD, Lulzim Basha, u shpreh se në takim i ka bërë të ditur zyrtarit europian se opozita kërkon të shembë këtë sistem dhe jo vetëm largimin e Ramës.

“Kemi ndarë dhe shkëmbyer qëndrimet dhe fatet që nuk fshihen më për Shqipërinë. Shprehëm vendosmërinë tonë që të shembet ky sistem dhe jo vetëm të largohet Rama. Kemi folur më shumë për vizionin tonë për të nesërmen, i cili do të jetë pjesë e bashkëbisedimit tonë me qytetarët. Formula e zgjidhjes është kjo: Regjimi i Edi Ramës ka mbaruar, shqiptarët e kanë përcaktuar rrugën ku do të ecin. Te vullneti politik, hetim i plotë i dosjes 339 dhe 184 dhe çuarja para drejtësisë e politikanëve që kanë vjedhur vota”, tha Basha.

Më herët, Danielsson u takua me kryeministrin Rama. Takimi me Ramën ka zgjatur edhe 20 minuta më shumë se sa ishte parashikuar, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe ambasadori Soreca.

Edhe pse nga Kryeministria nuk ka pasur asnjë deklaratë në lidhje me takimin, ka qenë Danielsson ai që me anë të një postimi në Twitter shkruan shkruan se Shqipëria duhet të vazhdojë në reformat dhe të luftojë krimin dhe korrupsionin, për të qenë gati në qershor për nisjen e negociatave.

“Bisedë shumë e hapur me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, mbi situatën aktuale politike dhe reformat, Shqipëria duhet të vazhdojë reformat në të gjitha fushat, në veçanti, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për të paraqitur kështu një situatë bindëse në qershor, kur shtetet anëtarë të Bashkimit Evropian do të shqyrtojnë progresin e Shqipërisë”, shkruan Danielsson.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN