Vuçiç: Kosova, një “adoleshent” i Perëndimit

Italia është në krah të Serbisë dhe ambasadore e saj, sa i përket mbështetjes së integrimit në BE. Këtë e konfirmoi kryeministri Giuseppe Conte, i cili gjatë vizitës në Beograd foli edhe për Kosovën.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, ai kërkoi që Prishtina të heqë taksën 100%ndaj mallrave serbe.

“Prishtina duhet të bëjë përpjekje të nevojshme për rifillimin e negociatave duke hequr tarifat e vendosura në mënyrë të njëanshme nëntorin e kaluar dhe që godasin produktet serbe. Ne shpresojmë që një kompromis të arrihet mes palëve”, tha Conte.

Ky mesazh i tij u prit shumë mirë nga Vuçiç. Ai nënvizoi se edhe pse e njeh pavarësinë e Kosovës, Italia e kupton shumë mirë pozicionin e Serbisë.

“Pozicioni ynë është shumë i vështirë, pasi në 90% të rasteve partnerët tanë e kanë njohur Kosovën. Edhe nëse ne do të kishim të drejtë, ata do të mbështesnin Kosovën pasi është një fëmijë i tyre. Sot Kosova është një adoleshent që duhet ende të rritet, që edhe pse bën prapësi, mbetet një fëmijë i tyre”, tha Vuçiç.

Vuçiç më tej tha se kërkon të arrijë një zgjidhje kompromisi me Prishtinën. Ai pranoi se Serbia nuk do të anëtarësohet në BE pa arritur një marrëveshje pajtimi me Kosovën.

Shkarkoni aplikacionin e A2