Eksportet kineze bien, shqetësim për ekonominë

Eksportet kineze pësuan rënien më të fortë të tre viteve të fundit në muajin Shkurt, ndërsa importet ranë për të tretin muaj radhazi, duke shtuar sinjalet e një ekonomie në ngadalësim, pavarësisht një sërë masash mbështetëse.

Edhe pse mund të kenë ndikuar faktorë sezonalë, shifrat e dobëta të superfuqisë tregtare shtuan shqetësimet e ngadalësimit të ekonomisë botërore, një ditë pasi Banka Qendrore Europiane shkurtoi parashikimet e rritjes për rajonin. Bursat aziatike u dobësuan mbi 3% pas këtij lajmi.

Të dhënat e Kinës vijnë pas muaj negociatash intensive mes Uashingtonit dhe Pekinit me synimin për t’i dhënë fund luftës tregtare mes tyre. Shtetet e Bashkuara raportuan ditën e mërkurë edhe deficitin tregtar më të lart historik me Kinën, duke nënvizuar edhe njëherë këtë çështje si shqetësim të amerikanëve.

Sipas Presidentit Donald Trump, bisedimet po ecin mirë, por do të vendoset ose për një marrëveshje të mirë, ose nuk do të ketë fare ujdi mes dy ekonomive më të mëdha botërore.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN