Korrigjimi i kufirit Kosovë-Serbi, Palmer: S’angazhohemi, por nuk e përjashtojmë

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Mathew Palmer dha mesazhe shumë të qarta për Kosovën duke folur nga Kroacia.

Ai theksoi se SHBA mbështet normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit dhe saktësoi se njohja reciproke duhet të jetë në qendër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Në këtë ujdi, ai refuzoi të përjashtonte një temë, të cilën e kundërshton me forcë kryeministri, Ramush Haradinaj.

“Është e mundur që marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës për njohjen reciproke të përfshijë dhe korrigjimin e kufijve. Ne nuk angazhohemi për këtë, por nuk mund ta përjashtojmë një gjë të tillë nga ujdia mes dy vendeve”, tha Matthew Palmer, zëvendës-ndihmës sekretar i Shtetit.

Zyrtari i administratës së presidentit Donald Trump, ripërsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për taksën 100% të vendosur ndaj mallrave serbe.

“Në mënyrë që të vazhdojë dialogu mes Serbisë dhe Kosovës, Prishtina duhet të pezullojë ose heqë këto tarifa. Edhe një pezullim i përkohshëm, 120 apo 150 ditor, do të lejonte rinisjen e negociatave. Kosova duhet të veprojë me shpejtësi”, tha Palmer.

Palmer, detyra speciale e të cilit është të drejtojë politikën e jashtme të SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor, beson se vendosja e taksës ndaj Serbisë, i ka kushtuar shumë Kosovës në pozicionin ndërkombëtar. Prishtina aktualisht po kalon krizën më të madhe në marrëdhëniet me Uashingtonin.