Përjashtimi i Kamzës, Mema: Kjo e prish garën

Kategoria Superiore ndalet në momentin më të mirë të sezonit për ekipin e Tiranës. Në një kohë kur skuadra po përgatitej për takimin ndaj Kastriotit, java e 25 do të spostohet. Megjithatë, bardheblutë nuk kanë humbur kohë duke zhvilluar një miqësore me ekipin e Korabit për të mbajtur në formë lojtarët.

Edhe trajneri Ardian Mema e pranon se ndalja e kampionatit është në dëm skuadrës. “E ul disi ritmin në krahasim me çfarë treguam me Partizanin. Gjithsesi duhet ta përgatisim ekipin sepse na presin ndeshje shumë të vështira”, thotë Mema.

Trajneri thotë se është e padrejtë që disa skuadra do të përfitojnë 6 pikë në tavolinë nga përjashtimi i Kamzës, duke prishur balancat e garës tashmë që kampionati është drejt fundit. “Kjo e prish garën në momentet që ne po pretendonim të ngjiteshim sipër (në renditje). Kundërshtarët tanë kanë 6 pikë të siguruara. Por ne duhet t’i bëjmë “hyzmetin” ndeshjeve ashtu siç është formula e kampionatit në këto momente”, thotë Mema. “Ky ekip i ka të mundësitë për t’u ngjitur, por e kam thënë gjithmonë që ndeshjet duhet t’i marrim hap pas hapi”.

Tirana pret këtë të mërkurë Laçin në shtëpi, në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, gjithmonë nëse situate do të ndryshojë dhe arbitrat do të lënë pas bojkotin.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN