Shqiptarët nuk besojnë te produktet që blejnë. Tregtarët: Malli i pastër

Edhe pse në terren shtohen kontrollet, duket se shqiptarët ende nuk besojnë tek siguria e ushqimeve. Në fakt, mjafton një vëzhgim i shkurtër te Pazari i Ri, për të vërejtur kontraste të theksuara.

Një ambient i pastër ndihmon në përmirësimin e imazhit, ndërsa pamje si këto sigurisht e thyejnë disi besimin. Tregu ofron çdo ditë mjaltë, mish, ullinj, peshk me kuintalë apo dhjetëra produkte të tjera. “Nuk ka kontroll, nuk ka siguri, ne i marrim me sy mbyllur”, thonë qytetarët.

Më i diskutuari nga të gjithë mbetet mishi, sa i sigurt është ky produkt. Një prej kasapëve të tregut, garanton pastërtinë e mallit e tij. “Është i therur në thertore me veteriner, certifikatë”, thotë ai. “Të blejnë pa merak, malli është i pastër”.

E deri në mbërritjen e ndonjë lajmi tjetër shqetësues për sigurinë e ushqimeve, këtu panorama mbetet e njëjta: pula që piqen, dikush që konsumon në vend dhe të tjerë që rendin drejt shtëpive me mallrat që kanë blerë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN