Arrestohet një tjetër pjesëtar i grupit “Bajri”

Një 35-vjeçar me inicialet N.H., është vënë në pranga nga Policia e Tiranës pasi ishte shpallur në kërkim që prej shtatorit të vitit 2018, kur i ishte dhënë edhe masa “arrest me burg” nga Gjykata.

35-vjeçari, i lindur dhe banues në Shkodër, është pjesë e grupit kriminal “Bajri” dhe mbi të rëndojnë akuzat e “pjesëmarrjes në organizata kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal, paracaktimi i rezultateve në garat sportive, e kryer në bashkëpunim, për qëllime të fitimit pasuror.

Ai u kap në një banesë të marrë me qira në zonën e Komunës së Parisit Tiranë, gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e sotëm nga Njësia Hetimore Qendrore në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Njësia Hetimore Qendrore për të lokalizuar vendndodhjen e personit të shpallur në kërkim ka bashkëpunuar me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Shkodër. Gjatë veprimeve procedurale u sekuestrua një automjet “BMË Seria 3”.

Materialet proceduriale shtesë iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN