Basha takime në Paskuqan, konfirmon dhe Xhelal Mziun

Opozita vijon përgatitjet në terren për protestën e 16 marsit, ndërsa lideri demokrat Lulzim Basha zhvilloi takime në Bashkinë e Kamzës, aty ku e nisi turin për protestën e 16 shkurtit.

Nga Paskuqani, pjesë e Bashkisë Kamzë, kreu demokrat për herë të parë gjatë këtij muaji foli edhe për pushtetin vendor. Ndërsa premton ndryshim të modelit të qeverisjes qendrore, për Kamzën Basha nuk mendon se ka nevojë për një të tillë, teksa konfirmoi demokratin Xhelal Mziu për mandatin e katërt. “Dua të falënderoj një njeri i cili e ka mbajtur fjalën para jush, por edhe para meje, me punën e përditshme në Bashki”, tha Basha. “T’i bashkojmë forcat dhe ndryshimi pozitiv në çdo familje do të ndihet kudo”.

Duke treguar se e njeh strategjinë e kundërshtarit politik, Basha vendosi besimin ne duart e shqiptareve. “Shpresa e vetme e Edi Ramës është t’i përçajë shqiptarët e t’i lodhë shqiptarët”, shtoi Basha.

Ndryshe nga tonet radikale me të cilat i parapriu 16 shkurtit, Lulzim Basha përfshiu në thirrjet e tij edhe ftesën ndaj grave për pjesëmarrje masive në protestën 16 marsit te Kryeministria. Në një zonë “blu” si e Paskuqanit, nuk munguan as foto me simbolin e Partisë Demokratike.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN