Ju kujtohet Sowe? Ish “korçari” sot po çmend Bullgarinë

Janë ndoshta qindra lojtarët e huaj që kanë kaluar nga ekipet shqiptare në dy dekadat e fundit, dhe pjesa më e madhe pas eksperiencës në vendin tonë janë harruar tërësisht, të transferuar në vende me futboll ende të pazhvilluar, ose në liga amatore të Evropës. Disa, kanë ndërruar madje profesion.

Por ka edhe raste të veçanta, më së shumti në 3 vjeçarin e fundit,  ku jo vetëm lojtari arrin suksesin në Superligë, por falë suksesit shqiptar arrin të kap majat dhe të shpalos talentin edhe në kampionate më prestigjioze.

Merveil Ndockyt

Tirana ende po përfiton nga lekët e paguar nga Getafe për të riun Merveil Ndockyt, kongolezi që mrekulloi kryeqytetasit në sezonin “e zi” 2016-2017, si i vetmi kujtim pozitiv në atë vit. Tashmë 22 vjeçari luan me ekipin e dytë të mitit Barcelona, dhe Getafe që zotëron kontratën pret shumë nga ai.

Peter Olayinka

Të njëjtin vit ku Merveil luante me Tiranën, në derbi përballej me Italo ganezin Kaleb Ekuban, që përdori Partizanin dhe 17 golat që shënoi atë sezon si një trampolinë drejt një karriere ndërkombëtare solide, ku u transferua nga Chievo që e zotëronte në një “mit” si Leeds United, edhe pse prej vitesh në kategori të dytë angleze. Pas njëperiudhe problematike me trajnerin “e çmendur “Marcelo Bielsa, u transferua tek Trabzonspor, ekip me emër në Turqi ku tashmë luan titullar dhe ka shënuar disa gola të rëndësishëm.

Kaleb Ekuban

Por edhe Skënderbeu nuk ngelet pas, si ekip fatsjellës për lojtarët e huaj. Peter Olaynka fillimisht bëri historinë, i shitur për një shumë të majme tek Gent në Belgjikë, ku shkëlqeu me Zulte Waregem për të përfunduar në gjigandët çek të Slavia Pragës, ku rezultoi si blerja më e shtrenjtë e historisë së tyre të lavdishme.

I fundit që po prek suksesin është Ali Sowe, gjigandi i ardhur edhe ai në huazim nga Chievo Verona tek Skëndërbeu që do të kapte maja të paarritura në futbollin shqiptar në vitin 2017-2018,  me fitoren në kampionat por edhe me  pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Europa League, e “vulosur” me 21 gola në sezon nga sulmuesi nga Gambia. Sowe arriti të pikasej nga CSKA e Sofies, ekip ambicioz që synon fitoren në kampionatin bullgar, dhe basti i tyre ishte i qëlluar. Pas një periudhe ambientimi, sulmuesi po e gjen veten dhe muajt e fundit ka shpërthyer duke shënuar 9 gola, dy vetëm në ndeshje e sotme.

Dëshmi të një ngritje të nivelit të Superiores gjatë viteve të fundit, por edhe një kambanë alarmi për një mungesë protagonistësh të tillë këtë vit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN